
Lidhet kontrata për Parkun Tematik Retro në Bulqizë, 2.2 mln euro për hotel dhe hapësira plotësuese
Bulqiza do të ketë një projekt të ri që synon transformimin e disa seteve të braktisura në një park tematik retro që do të përfshijë brenda tij disa elementë.
Në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, Fondi Shqiptar i Zhvillimit publikoi këtë javë se tashmë ka lidhur kontratën me vlerë rreth 2.2 milionë euro me operatorin S.M.O.UNION çka i hap rrugë zbatimit.
Konkretisht zona që parashikohet t’i nënshtrohet transformimit përfshin ish-strukturat e godinat dikur në shërbim të akomodimit të oficerëve dhe ato në shërbim të ish parkut të logjistikës. Zona e ndërhyrjes ka një sipërfaqe rreth 10 ha.
Së pari ndërhyrja do të sjellë atë që cilësohet si Retro Market me një hapësirë 3600m². Kjo do të përfshijë: njësi stenda për produkte bujqësore, shtazore; Panair ushqimi, zona me tavolina; Linjë frigoriferike për magazinim dhe shitje; Linjë gatim dhe shitje ;Expo 18 shkurti.
Në raportin teknik të projektit thuhet se objekti i dytë kryesor brenda truallit të ndërtimit që përbën zonën e ndërhyrjes është një objekt në tipologjinë e kapanonit i cili ka shërbyer si ofiçinë e automjeteve dhe autobuzave për rajonin verior.
“Struktura paraqet dëme të konsiderueshme në strukturë për shkak të aktivitetit sizmik apo të rrëshqitjes se truallit ne zonë. Ky aktivitet ka rezultuar në dëme fatale për godinën industriale, për këtë arsye nevojitet shembja e saj dhe rizhvillimi i një objekti të ri, i cili mund të ruajë gjurmën ekzistuese të ndërtimit” thuhet në raport.
Një tjetër godinë që do të transformohet është ish-shtëpia e oficerëve e cila do të kthehet në një hotel.
“Retro-Hotel” Ish-shtëpia Oficerëve dhe 8 banesat 2 katëshe, (4 prej tyre të okupuara), synon të sjellë si produkt një eksperience unike, nëpërmjet realizimit të një poli retro hotelier, me disa godina që ofrojnë akomodim e rekreacion të formave të ndryshme me trajtim të interierit në stil komunist. dhe 2-3 kate ish shtëpia e oficerëve.
Në zonë ndodhen edhe disa godina të tjera si struktura të cilat kanë shërbyer në funksion të ushtrisë të cilat sot pjesërisht janë të okupuara informalisht dhe pjesërisht në gjendje të amortizuar, lartësia e të cilave është 2 kat. Sipërfaqja totale e këtyre 8 objekteve është; Sipërfaqe gjurme 1700 m2, Sipërfaqe totale ndërtimore 3400 m2”, thuhet në dokument.
Ndërtimi i ri do të përfshijë një : dhomë muzeale me çdo mobilim dhe dekor dhe mjete e teknologji të periudhës historike, dhoma standarde hoteliere me 2 krevat dhe/apo krevat matrimonial retro, dhoma standarde hoteliere me 3 krevat retro, dhoma standarde hostel me nga 6+ krevate (1 apo 2 kat/marinar) retro, njësi minimale mëngjesi dhe kateteri, tualete të veçuara dhe tualete të përbashkëta, njësi për administratën, recepsionin.
/Monitor (https://monitor.al/lidhet-kontrata-per-parkun-tematik-retro-ne-bulqize-2-2-mln-euro-per-hotel-dhe-hapesira-plotesuese/)
Më të lexuarat








